Vertigo Free Zone | Industrial Park Durrës

Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park” është një park industrial i cili operon në sektorin e Zonave të Tekonologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA), funksionimi i të cilave gjen rregullim në legjislacionin shqiptar në Ligjin nr. 9789, datë 19.07.2007, “Për Krijimin dhe Funksionimin e Zonave të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, i ndryshuar.

Veprimtaria e “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park” i drejtohet kompanive investitore vendase dhe të huaja, të cilat synojnë të ushtrojnë aktivitet magazinues, përpunues, prodhues dhe tregtues (eksport-import), duke shfrytëzuar pozicionin strategjik të parkut, infrastrukturën e tij moderne dhe lehtësirat financiare dhe tatimore që karakterizojnë investimin në sektorin TEDA, për shoqëritë të cilat licencohen si “përdorues” të zonës

    Por cilat janë hapat për licencimin si “përdorues TEDA”?

    Sipas legjislacionit shqiptar në fuqi termi “përdorues” i referohet personit fizik ose juridik, vendas ose të huaj, i cili ushtron veprimtari ekonomike brenda zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik

    1. Kushti i parë: Themelimi i një subjekti të ri brenda zonës Për të marrë licencën si përdorues TEDA, subjekti duhet të krijojë një biznes të ri brenda zonës TEDA. Nuk lejohet vetëm zhvendosja e një aktiviteti ekzistues nga jashtë zonës, me qëllim përfitimi nga lehtësitë fiskale pasi një veprim i tillë mund të çojë në përjashtimin nga përfitimet financiare që ofron operimi në zonë.
    2. Kushti i dytë: Veprimtari e ligjshme dhe në përputhshmëri me qëllimin e TEDA Aktiviteti që do të zhvillohet në zonë duhet të jetë i ligjshëm, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe objektivat e TEDA – të tilla si: promovimi i industrive të reja, teknologjive të pastra, eficiencës energjetike dhe inovacionit.

    Procedura e licencimit

    Licenca për përdorues lëshohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Procesi fillon me paraqitjen e një kërkese formale nga kandidati për t’u miratuar si përdorues.

    Bashkëlidhur kërkesës për miratimin e përdoruesit, kandidati për përdorues duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

    1. Aktmarrëveshjen ndërmjet zhvilluesit dhe kandidatit për përdorues;
    2. Planin e biznesit të hollësishëm në lidhje me aktivitetin që do të kryhet, ku të përshkruhen qartë plani i punësimit, plani i investimeve dhe treguesit që do të realizohen, duke mbajtur parasysh nxitjen e industrive të reja, teknologjive novatore, industrive që plotësojnë standardet ndërkombëtare për eliminimin e ndotjes, industrive eficiente në përdorimin e energjisë, si dhe industrive me produktivitet të lartë, në raport me punonjësit, me kusht që të mos ketë efekt dëmtues material në veprimtaritë ekonomike në tregun vendas.

    Kur kandidati për përdorues është person fizik ose juridik i regjistruar dhe/ose ka ushtruar aktivitet jashtë zonës duhet të dorëzojë:

    1. Ekstraktin e regjistrit tregtar për të dhënat e subjektit, si dhe ekstraktin për historikun e subjektit;
    2. Vërtetimin nga dega e tatimeve që subjekti ka shlyer detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore;
    3. Vërtetime nga institucionet përkatëse që nuk është në ndjekje penale, si dhe nuk ka procese gjyqësore në lidhje me aktivitetin;
    4. Vërtetimin që nuk është në proces falimentimi dhe kapitalet e tij janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit.

    Kandidati/ofertuesi i huaj duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një deklaratë me shkrim nga ana e kandidatit/ofertuesit.

    Ministria përgjegjëse, brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për përdorues, merr në shqyrtim kërkesën dhe vendos të miratojë ose jo përdoruesin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik.

    Sa më sipër, lidhur me kriterin e parë për licencimin si përdorues, në vijim po pasqyrojmë edhe disa detaje kryesore mbi themelimin fillestar të një subjekti tregtar brenda zonës.

    Themelimi i një shoqërie brenda zonës të aktivitetit tregtar

    Themelimi i një shoqërie brenda zonës ndjek procesin e zakonshëm të regjistrimit të aktivitetit tregtar, sipas parashikimeve të Ligjit 9723, datë 03.05.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar. Aplikimi për regjistrim fillestar bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) në mënyrë elektronike, duke shfrytëzuar portalin shtetëror E-albania. QKB, pasi kryen verifikimet përkatëse, në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi dhe vëren përmbushjen e kushteve për regjistrim, kryen regjistrimin në regjistër, brenda një afati prej një dite nga data e paraqitjes së aplikimit.

    Më poshtë po paraqesim në formë tabelare një përmbledhje të dokumenteve kryesore që duhet të depozitohen për efekt të regjistrimit të një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar brenda zonës, si forma më përfaqësuese e aktivitetit tregtar.

    Regjistrimi fillestar i një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar
    Dokumenti Përshkrim i përmbajtjes së dokumentit Gjuha e dokumentit
    1 Akti i themelimit Shqip
    2 Statuti Shqip
    3 Autorizimi i përfaqësuesit për të bërë aplikimin për regjistrim Shqip
    Regjistrimi fillestar i një subjekti tregtar me themelues një shoqëri të huaj; Regjistrimi fillestar i degës së shoqërisë së huaj
    Dokumenti Gjuha e dokumentit Pajisja me vulë apostile dhe noterizimi
    1 Akti i themelimit Anglisht dhe Shqip
    2 Statuti Anglisht dhe Shqip
    3 Autorizimi i përfaqësuesit për të bërë aplikimin për regjistrim Anglisht dhe Shqip
    4 Akti i themelimit të shoqërisë së huaj Gjuha e origjinës shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +
    5 Statuti i shoqërisë së huaj Gjuha e origjinës shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +
    6 Certifikatë regjistrimi e shoqërisë së huaj lëshuar nga juridiksioni i huaj Gjuha e origjinës shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +
    7 Vërtetim për gjendjen aktuale të shoqërisë së huaj Gjuha e origjinës shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +
    8 Bilanci i shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar Gjuha e origjinës shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +
    9 Vendimi/akti i brendshëm i shoqërisë së huaj për themelimin e shoqërisë bijë/degës brenda zonës Gjuha e origjinës, Anglisht, shoqëruar me përkthim zyrtar në Shqip +

    Risjellim në vëmendje se licencimi si përdorues i zonës është kusht i domosdoshëm për përfitimin e lehtësive fiskale që parashikon legjislacioni në fuqi mbi investimet në sektorin TEDA

    “Vertigo Free Zone – Durrës Industrial Park” funksionon si një qendër shërbimesh “one-stop shop”, ku ju jo vetëm mund të zhvilloni veprimtarinë tuaj, por edhe të siguroni mbështetjen e nevojshme për suksesin e saj. Do të keni në dispozicion shërbime konsulence të personalizuara, të përshtatura sipas natyrës së biznesit tuaj nga profesionistë me përvojë në fushën përkatëse.

    Më specifikisht shërbimet e konsulencës do të përfshijnë:

    • Konsulencë fiskale – Këshillim profesional për interpretimin dhe shfrytëzimin efektiv të lehtësirave fiskale, si dhe zgjidhje për çdo paqartësi me natyrë tatimore
    • Konsulencë financiare dhe biznesi – Mbështetje në planifikimin financiar, analizën e qëndrueshmërisë së biznesit dhe përgatitjen e strategjive të zhvillimit
    • Konsulencë për menaxhimin dhe përmirësimin e proceseve operacionale
    • Këshillim mbi strategjinë e biznesit dhe strukturimin e tij.
    • Konsulencë ligjore dhe asistencë juridike të plotë – duke e shoqëruar klientin që nga themelimi i shoqërisë deri te përfaqësimi ligjor përpara autoriteteve kompetente, me qëllim menaxhimin efikas dhe në kohë të çdo çështjeje me natyrë ligjore.